LIGJ
Nr. 131/2013
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7829, DATË 1.6.1994 \"PËR NOTERINË\", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 7829, datë 1.6.1994 \"Për noterinë\", të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 37, pas pikës 9 shtohen pikat 10 dhe 11 me këtë përmbajtje:
\"10. Administron Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, në të cilin regjistrohen testamentet e nënshkruara prej noterëve.
11. Administron Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë, në të cilin regjistrohen dëshmitë e trashëgimisë ligjore dhe testamentare.\".
Neni 2
Në nenin 52, pas paragrafit të dytë shtohen paragrafët e tretë dhe të katërt me këtë përmbajtje:
\"Noteri, pasi të ketë redaktuar testamentin, në përputhje me paragrafët e parë dhe të dytë të këtij neni, bën regjistrimin e tij në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Noteri refuzon përpilimin e aktit nëse disponimet e trashëgimlënësit nuk respektojnë elementet e vlefshmërisë së testamentit, sipas Kodit Civil.\".
Neni 3
Neni 53 ndryshohet si më poshtë:
\"Neni 53
Kërkesa për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë
Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar:
a) kontrollon kompetencën vendore të tij, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil;
b) dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, së cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit.
Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 3 ditëve, kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është lëshuar dëshmia e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter tjetër.
Brenda 3 ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri:
a) drejton personin e interesuar te noteri, i cili ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka;
b) procedon me lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore ose testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë.
Kur lëshon dëshminë e trashëgimisë testamentare, noteri kontrollon nëse disponimet me testament të testatorit janë të vlefshme, sipas parashikimeve të bëra në Kodin Civil.
Kur disponimi me testament është i pavlefshëm, noteri, me vendim të arsyetuar, deklaron pavlefshmërinë e testamentit dhe vijon me lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore. Në rast se deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, dëshmia e trashëgimisë ligjore lëshohet vetëm për atë pjesë të disponimeve të testamentit që deklarohen të pavlefshme.\".
Neni 4
Pas nenit 53 shtohen nenet 53/1, 53/2, 53/3, 53/4 dhe 53/5 me këtë përmbajtje:
\"Neni 53/1
Dëshmia e trashëgimisë
Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri, në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil, si dhe në këtë ligj. Përveç elementeve që kanë lidhje me dëshminë e trashëgimisë, të parashikuara në nenin 49 të këtij ligji, dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë edhe:
a) bazën ligjore dhe elementet, mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë;
b) të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin;
c) të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes;
ç) të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa;
d) të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit;
dh) të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimia, nëse ka;
e) të dhëna mbi legun dhe barrën, nëse ka;
ë) pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve;
f) çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi.
Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi, që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë, të njësuara me origjinalin.
Noteri shënon në një regjistër të posaçëm të dhënat e çdo personi, të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.
Neni 53/2
Ndreqja e gabimeve në dëshminë e trashëgimisë
Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi, që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim, në caktimin e pjesëve takuese, apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë.
Noteri njofton menjëherë të gjithë personat, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, për çdo ndreqje të gabimeve.
Neni 53/3
Ndryshimi i dëshmisë së trashëgimisë
Noteri, pasi regjistron heqjen dorë nga trashëgimia, kryesisht lëshon një dëshmi të re trashëgimie, të cilën ia njofton menjëherë të gjithë personave, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë fillestare të trashëgimisë.
Në dëshminë e re të trashëgimisë, noteri pasqyron ndryshimet në rrethin e trashëgimtarëve, pjesët e tyre takuese, si dhe të dhënat mbi aktin e heqjes dorë nga trashëgimia.
Noteri, pas lëshimit të dëshmisë së re të trashëgimisë, bën shënimin përkatës në dëshminë fillestare të trashëgimisë dhe më pas e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë.
Neni 53/4
Revokimi i dëshmisë së trashëgimisë
Kur, me vendim gjyqësor të formës së prerë, pranohet padia për pavlefshmërinë e testamentit, për pjesëtimin e trashëgimisë apo atë që rrjedh nga trashëgimia, dhe ky vendim sjell efekte mbi përmbajtjen e dëshmisë së trashëgimisë, noteri, brenda 3 ditëve nga marrja dijeni, revokon me vendim dëshminë fillestare të trashëgimisë dhe lëshon një dëshmi të re trashëgimie.
Dëshmia e re e trashëgimisë, ku pasqyrohen edhe arsyet e revokimit të dëshmisë fillestare të trashëgimisë, i njoftohet menjëherë të gjithë personave, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë fillestare të trashëgimisë.
Noteri, pas lëshimit të dëshmisë së re të trashëgimisë, e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë, së bashku me vendimin për revokimin e dëshmisë fillestare të trashëgimisë.
Neni 53/5
Ankimi në gjykatë
Përveç padive të përcaktura në nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile, ndaj çdo veprimi ose vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo revokimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë, sipas rregullave për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 5
Pas nenit 70 shtohet neni 70/1 me këtë përmbajtje:
\"Neni 70/1
Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Dëshmive të Trashëgimisë
Pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve, në të cilin noterët duhet të regjistrojnë testamentet e nënshkruara pranë tyre dhe Regjistri Kombëtar i Dëshmive të Trashëgimisë, në të cilin noterët regjistrojnë dëshmitë e trashëgimisë ligjore apo testamentare.
Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Dëshmive të Trashëgimisë administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Rregullat e hollësishme për Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe për Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë miratohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.\".
Neni 6
Dispozitë kalimtare
Të gjitha testamentet e nënshkruara pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 7
Aktet nënligjore
Ngarkohet Ministri i Drejtësisë që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të nenit 5.

Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 1 shtator 2013.
Miratuar në datën 29.4.2013
Shpallur me dekretin nr. 8164, datë 13.5.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

Copyright 2013 - www.ligjet.org

Designed by Oxygen Studio