LIGJ

 

Nr. 122/2013

 

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8116, DATË 29.3.1996 \"KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË\", TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 81 pika 2 shkronja \"d\" dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

Në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996 \"Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë\", të ndryshuar, bëhen këto shtesa e ndryshime:

 

Neni 1

 

Në nenin 35 paragrafi i fundit ndryshohet si më poshtë:

 

\"Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë të gjitha çështjet që, sipas këtij neni, në gjykatën e shkallës së parë gjykohen nga një gjyqtar. Çështjet e tjera gjykohen me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve, çështjet e parashikuara shprehimisht në dispozita të tjera të këtij Kodi.\".

 

Neni 2

 

Në nenin 63, paragrafi i dytë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Gjykata e Lartë shqyrton ankimin në dhomë këshillimi, në kolegj, me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë dhe shprehet me vendim të arsyetuar jo më vonë se tridhjetë ditë nga momenti i depozitimit të ankesës.\".

 

Neni 3

 

Në nenin 64, në fund të paragrafit të dytë shtohen fjalët \"sipas rregullave të përcaktuara në paragrafin e dytë të nenit 63 të këtij Kodi.\".

 

Neni 4

 

Neni 75 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 75

 

Kompetenca për shqyrtimin e kërkesës

 

Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve shqyrtohet në seancë nga një gjyqtar tjetër i së njëjtës gjykatë. Ndaj vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për përjashtim lejohet ankim së bashku me vendimin përfundimtar.

 

Për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit të gjykatës së apelit vendos një trup gjykues prej 3 gjyqtarësh i kësaj gjykate, i ndryshëm nga ai, të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet. Vendimi është i formës së prerë.

 

Për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë vendos një kolegj prej 3 gjyqtarësh i kësaj gjykate, i ndryshëm nga ai, të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet. Vendimi është i formës së prerë.

 

Nuk pranohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve të caktuar për të vendosur mbi përjashtimin.\".

 

Neni 5

 

Në nenin 77 bëhen këto ndryshime:

 

a)Paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Sekretari regjistron çështjet, formon fashikujt gjyqësorë, duke futur atje dokumente ose kopje të tyre të vërtetuara sipas ligjit dhe shënon menjëherë datën e depozitimit, i ruan ato, përpilon komunikimet dhe njoftimet e parashikuara nga ligji ose nga gjykata dhe detyra të tjera që lidhen me procesin gjyqësor.\".

 

b)Pas paragrafit të tretë, shtohet paragrafi i katërt me këtë përmbajtje:

 

\"Sekretari lëshon, kundrejt pagesës, kopje të akteve të përpiluara, të regjistrimeve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive, transkripte të plota ose të pjesshme të këtyre të fundit, si dhe ekstrakte autentike të akteve të përpiluara me shtypshkrim apo dorëshkrim.\".

 

Neni 6

 

Neni 118 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 118

 

Procesverbali

 

Kryetari i seancës duhet të sigurohet që të mbahet procesverbal nëpërmjet regjistrimit audio ose audioviziv për seancën gjyqësore, si dhe për çdo veprim tjetër procedural gjyqësor që zhvillohet jashtë seance. Nëse nuk është e mundur që procesverbali të mbahet nëpërmjet regjistrimit audio ose audioviziv, ai mbahet duke bërë një përmbledhje të saktë me shtypshkrim apo dorëshkrim.

 

Procesverbali duhet të tregojë:

 

a)vendin ku zhvillohet veprimi procedural gjyqësor;

 

b)kohën e zhvillimit të veprimit procedural gjyqësor;

 

c)përbërjen e trupit gjykues dhe emrin e sekretarit të gjykatës;

 

ç) gjenealitetet e pjesëmarrësve në gjykim; dhe

 

d)personat e thirrur, që nuk janë paraqitur, si dhe, nëse dihet, arsyen e mungesës së tyre.

 

Procesverbali duhet të përshkruajë veprimet procedurale të kryera gjatë gjykimit dhe të pasqyrojë fjalë për fjalë:

 

a)të gjitha kërkimet dhe kundërshtimet e palëve dhe të personave të tretë;

 

b)përmbledhjen e saktë të çdo shpjegimi dhe pretendimi me shkrim të paraqitur nga pala;

 

c)pyetjet dhe thëniet e personave që marrin pjesë në gjykim, duke përfshirë dëshmitarët dhe ekspertët;

 

ç) provat e marra, duke përfshirë përmbajtjen e provave me shkresë që janë paraqitur, të shiritave të magnetofonit, diapozitivave e filmave;

 

d)të gjitha vendimet dhe urdhrat që ka dhënë gjykata gjatë gjykimit; dhe

 

dh) të gjitha pretendimet përfundimtare të palëve.

 

Në rast se procesverbali mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim, dhe një nga palët kërkon që pjesë nga thëniet e palës tjetër të përfshihen në procesverbal, gjykata duhet ta marrë parasysh këtë kërkesë.

 

Nëse procesverbali mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim, ai nënshkruhet në fund të çdo faqeje nga sekretari dhe në fund të dokumentit nga kryetari i seancës, menjëherë pas seancës, dhe përfshihet në dosjen gjyqësore.

 

Procesverbali është pjesë përbërëse e dosjes gjyqësore dhe ruhet për aq kohë sa edhe vetë dosja. Rregullat e hollësishme për ruajtjen dhe arkivimin e procesverbalit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.\".

 

Neni 7

 

Pas nenit 118 shtohet neni 118/1 me këtë përmbajtje:

 

\"Neni 118/1

 

Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive

 

Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive përgatitet nga sekretari gjyqësor, ose teknikë të kontraktuar nga gjykata dhe që veprojnë nën mbikëqyrjen e sekretarit gjyqësor.

 

Transkriptimi i procesverbalit bëhet në rastet kur:

 

a)kërkohet nga anëtarët e trupit gjykues;

 

b)kërkohet me shkrim nga palët në gjykim ose persona të tjerë të interesuar dhe kjo kërkesë miratohet nga kryetari i seancës gjyqësore, pasi paguhen tarifat e vendosura për këtë qëllim, e cila përcaktohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Transkriptimi i regjistrimit mund të bëhet për të gjitha seancat e një çështjeje, për seanca të veçanta ose për pjesë të shkëputura prej tyre, sipas kërkesës së personit që kërkon transkriptimin.

 

Transkriptimi mund të kërkohet edhe para se gjykata të ketë dhënë vendimin për çështjen.

 

Transkriptimi i bashkëngjitet dosjes gjyqësore pa cenuar vlefshmërinë e procesverbalit të mbajtur sipas nenit 118 të këtij Kodi.\".

 

Neni 8

 

Neni 128 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 128

 

Njoftimi i akteve

 

Njoftimi i akteve bëhet sipas mënyrave të parashikuara në këtë kre. Gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues të çështjes kujdeset dhe kontrollon procesin e njoftimit, që kryhet nga nëpunësit e administratës gjyqësore të caktuar për realizimin e tij.\".

 

Neni 9

 

Neni 129 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 129

 

Thirrja në gjykatë

 

Thirrja në gjykatë bëhet nëpërmjet njoftimit të letërthirrjes, e cila duhet të përmbajë gjykatën që e ka nxjerrë, emrin, mbiemrin e personit të thirrur, kohën e vendin e seancës gjyqësore, mosmarrëveshjen për të cilën thirret, si dhe pasojat ligjore në rast se personi i thirrur nuk paraqitet në gjykatë.

 

Gjykata, kur e çmon të dobishme dhe kur pala ka dhënë pëlqimin paraprak, urdhëron që thirrja në gjykatë të bëhet nëpërmjet njoftimit me mjete të komunikimit elektronik, sipas rregullave të përcaktuara në këtë kre.\".

 

Neni 10

 

Neni 130 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 130

 

Rregullat e njoftimit shkresor të akteve

 

Njoftimi shkresor bëhet nëpërmjet dorëzimit nga nëpunësi gjyqësor ose shërbimi postar i letërthirrjes ose akteve të tjera që duhet t\'i njoftohen personit të thirrur, kudo ku ai gjendet.

 

Në rastin e personave që ndodhen në shërbim në ushtri, njoftimi u bëhet me anë të komandës së repartit nga i cili varen.

 

Në rastin e personave juridikë publikë njoftimi bëhet në qendrën e tij dhe i dorëzohet titullarit ose personave të ngarkuar për pranimin e akteve.

 

Në rastin e personave juridikë privatë njoftimi bëhet në qendrën e tij dhe i dorëzohet përfaqësuesit ose personit të ngarkuar për të marrë aktet dhe, në mungesë të tyre, një personi tjetër që punon në këtë qendër të personit juridik.

 

Në rastet kur njoftimi shkresor bëhet nëpërmjet shërbimit postar, nëpunësi gjyqësor shënon mbi origjinalin dhe mbi kopjen e njoftimit edhe zyrën e postës, me anë të së cilës i është dërguar akti marrësit, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet t\'i bashkohet origjinalit të aktit dhe përfshihet në dosjen gjyqësore.

 

Në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.\".

 

Neni 11

 

Në nenin 131 bëhen ndryshimet si më poshtë:

 

a)Në paragrafin e parë fjala \"e marrësit\" zëvendësohet me fjalët \"e personit të thirrur\".

 

b)Në paragrafin e dytë fjala \"marrësi\" zëvendësohet me fjalët \"personi i thirrur\" dhe fjalët \"i thirruri është i mitur\" zëvendësohen me fjalët \"marrësi është i mitur\".

 

c)Fjalia e fundit e paragrafit të katërt ndryshohet si më poshtë:

 

\"Gjithashtu bëhet shënimi në kopjen që mban nëpunësi i gjykatës edhe për marrëdhëniet e këtij personi me personin e thirrur, veprimet dhe kërkimet e bëra nga nëpunësi gjyqësor për dorëzimin e aktit personit të thirrur, si dhe vendin dhe kohën e dorëzimit.\".

 

Neni 12

 

Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:

 

a)Në paragrafin e parë:

 

i) fjala \"marrësi\" zëvendësohet me fjalët \"personi i thirrur\".

 

ii) Në fundit të tij shtohet një fjali me këtë përmbajtje:

 

\"Ky njoftim qëndron i afishuar për jo më pak se 20 ditë.\".

 

b)Në fund të nenit, shtohen dy paragrafë me këtë përmbajtje:

 

\"Në rastin kur marrësi është person juridik privat, njoftimi bëhet nëpërmjet afishimit të tij pranë adresës së qendrës së regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ose në regjistrin e organizatave jofitimprurëse.

 

Në këto raste, njoftimi i aktit bëhet edhe në një rubrikë të posaçme në faqen zyrtare në internet të gjykatës, ose në një portal elektronik kombëtar të krijuar për këtë qëllim.\".

 

Neni 13

 

Neni 141 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 141

 

Rregullat e njoftimit elektronik të akteve

 

Njoftimi elektronik i akteve bëhet me mjete të komunikimeve elektronike, nëpërmjet dërgimit nga nëpunësi gjyqësor të letërthirrjes ose akteve të tjera që duhet t\'i njoftohen personit të caktuar si marrës, në të dhënat e tij të kontaktit.

 

Ky njoftim duhet të pasqyrohet në një procesverbal të posaçëm, në të cilin duhet të tregohen të dhënat e kontaktit dhe mjeti i komunikimeve elektronike të përdorura për njoftim, data dhe ora e saktë e komunikimit, personi me të cilin komunikon dhe qëllimi i njoftimit.

 

Procesverbali hartohet nga sekretari gjyqësor dhe nënshkruhet prej tij dhe nëpunësit gjyqësor të ngarkuar për kryerjen e njoftimeve. Ky procesverbal bëhet pjesë e dosjes gjyqësore.

 

Rregulla të detajuara për mënyrën e njoftimit elektronik përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.\".

 

Neni 14

 

Neni 141/a dhe 142 shfuqizohen.

 

Neni 15

 

Neni 143 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 143

 

Në rastet kur njoftimi nuk mund të bëhet në rrugë shkresore dhe elektronike, zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 133 të këtij Kodi.\".

 

Neni 16

 

Neni 144 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 144

 

Mënyra të tjera njoftimi

 

Njoftimi mund të kryhet në çdo mënyrë tjetër që garanton një njoftim të rregullt për sa kohë që personi i thirrur konfirmon personalisht me shkrim se ka marrë njoftimin.\".

 

Neni 17

 

Në nenin 154 shtohen dy paragrafë me këtë përmbajtje:

 

\"Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë:

 

a)të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, në të cilin gjykata mund ta njoftojë, si dhe deklaratën e pranimit të njoftimit me mjete të komunikimit elektronik;

 

b)listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.

 

Paditësi, për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të dhënave elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.\".

 

Neni 18

 

Në nenin 158, paragrafi i katërt, fjalët \"nenet 130 dhe 131\" zëvendësohen me fjalët \"kreun IV të titullit VI të pjesës I.\".

 

Neni 19

 

Në fund të nenit 158/a shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

 

\"I kërkon të paditurit ose personit të tretë të konfirmojë adresën, si dhe të japë të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, në të cilin gjykata mund ta njoftojë. Nëse i padituri ose personi i tretë pranon njoftimin elektronik, i kërkon të plotësojë deklaratën e pranimit të njoftimit me mjete të komunikimit elektronik. Për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të dhënave elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, i padituri ose personi i tretë detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.\".

 

Neni 20

 

Neni 172 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 172

 

Shqyrtimi i çështjes përpara gjykatës bëhet verbalisht, por palët mund të parashtrojnë me shkrim shpjegimet dhe pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim.

 

Shpjegimet dhe pretendimet me shkrim të paraqitura nga palët, në mbështetje të kërkesave dhe konkluzioneve të tyre, bëhen pjesë e dosjes gjyqësore, ose i bashkohen procesverbalit kur ai mbahet me shtypshkrim apo dorëshkrim.\".

 

Neni 21

 

Në nenin 177, në fund të paragrafit të dytë shtohen fjalët \"kur ai mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim.\".

 

Neni 22

 

Në nenin 211, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Mosparaqitja e padisë brenda afatit të caktuar nga gjykata, e vërtetuar nga kryesekretari, shuan masën e sigurimit të padisë.\".

 

Neni 23

 

Në nenin 203, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

 

\"Sigurimi i padisë nuk lejohet në rastet e padive që ngrihen gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit, për të cilat zbatohet pjesa e katërt e këtij Kodi.\".

 

Neni 24

 

Në nenin 206 paragrafi i parë, shkronja \"b\" ndryshohet si më poshtë:

 

\"b) me anë të masave të tjera të përshtatshme të marra nga gjykata.\".

 

Neni 25

 

Në nenin 310, pas pikës 1 të paragrafit III shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:

 

\"1/1. Nëse gjykata vendos detyrime për palët, përmbajtjen konkrete të tyre.\".

 

Neni 26

 

Pas nenit 310 shtohet neni 310/1 me këtë përmbajtje:

 

\"Neni 310/1

 

Vendimi i gjykatës, për të cilin duhet të lëshohet urdhër ekzekutimi, sipas pjesës së katërt të këtij Kodi, shoqërohet në çdo rast me kopjen e urdhrit të ekzekutimit, të përgatitur dhe nënshkruar nga gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues, që ka dhënë vendimin.

 

Kopja e urdhrit të ekzekutimit ruhet në sekretarinë gjyqësore dhe i njoftohet palëve, sipas rregullave të parashikuara në nenin 316, vetëm pasi vendimi merr formë të prerë dhe konfirmohet nga kancelari.

 

Nëse vendimi gjyqësor ndryshohet ose prishet nga gjykata e apelit, kancelari urdhëron arkivimin, nëpërmjet një shënimi të posaçëm në kopjen e urdhrit të ekzekut imit, sipas rregullave të përcaktuara me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.\".

 

Neni 27

 

Neni 316 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 316

 

Njoftimi i vendimeve

 

Vendimet përfundimtare, jopërfundimtare dhe të ndërmjetme të gjykatës, për të cilat është parashikuar e drejta e ankimit, u njoftohen palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, brenda tre ditëve nga marrja e vendimit ose, në rast se vendimi i arsyetuar shpallet më vonë, brenda tre ditëve pas shpalljes së vendimit të arsyetuar.

 

Njoftimi bëhet sipas rregullave të parashikuara në kreun IV të titullit VI të pjesës I.\".

 

Neni 28

 

Neni 375 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 375

 

Kërkesa

 

Kërkesa për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur mund të paraqitet nga çdo person i interesuar, nga noteri, pranë të cilit personi ka redaktuar një testament me akt noterial, apo ka depozituar për ruajtje testamentin ollograf ose testamentin e posaçëm, apo nga prokurori në gjykatën ku ka pasur vendbanimin e fundit personi për të cilin kërkohet shpallja si i tillë.\".

 

Neni 29

 

Në nenin 380, paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Gjykata mund të marrë masa për sigurimin e pasurisë trashëgimore. Ajo autorizon dhomën e noterisë në nivel vendor, që mbulon njësinë vendore të vendbanimit të fundit të të shpallurit të zhdukur ose të vdekur, ose noterin, pranë të cilit është redaktuar testamenti me akt noterial, apo është depozituar për ruajtje testamenti ollograf ose testamenti i posaçëm, që të bëjë inventarin e pasurisë së trashëgimlënësit. Dhoma e noterisë në nivel vendor cakton një noter për të bërë inventarin e pasurisë së trashëgimlënësit. Noteri në këtë rast duhet të caktojë një person si ruajtës të pasurisë trashëgimore deri në çeljen e dëshmisë së trashëgimisë.\".

 

Neni 30

 

Titulli IV i pjesës së dytë shfuqizohet.

 

Neni 31

 

Në nenin 447, fjalët \"nenet 130 dhe 131\" zëvendësohen me fjalët \"kreun IV të titullit VI të pjesës I.\".

 

Neni 32

 

Në nenin 445, fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Ankimi në gjykatën e apelit dhe rekursi në Gjykatën e Lartë nuk mund të bëhen pasi ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit.\".

 

Neni 33

 

Pas nenit 466 shtohet neni 466/1 me këtë përmbajtje:

 

\"Neni 466/1

 

Vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili ndryshon një vendim të gjykatës së shkallës së parë, për të cilin duhet të lëshohet urdhër ekzekutimi, sipas pjesës së katërt të këtij Kodi, shoqërohet në çdo rast me urdhrin e ekzekutimit, të nënshkruar nga kryetari i trupit gjykues që ka dhënë vendimin.

 

Urdhri i ekzekutimit dorëzohet në sekretarinë gjyqësore dhe pasi konfirmohet nga kancelari, i njoftohet gjykatës së shkallës së parë që ka dhënë vendimin e ndryshuar, si dhe palëve, sipas rregullave të parashikuara në kreun IV të titullit VI të pjesës I.\".

 

Neni 34

 

Në nenin 467 paragrafi i parë bëhen këto ndryshime:

 

a)Shkronja \"b\" ndryshohet si më poshtë:

 

\"b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt apo vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë.\".

 

b)Shkronja \"ë\" ndryshohet si më poshtë:

 

\"ë) lind nevoja për marrjen e një prove vendimtare, marrja e së cilës është e vështirë në shkallë të dytë, ose gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e parashtruara nga palët në padi dhe që përbëjnë objektin e mosmarrëveshjes midis palëve ndërgjyqëse.\".

 

Neni 35

 

Në nenin 472, shkronja \"c\" e paragrafit të parë shfuqizohet.

 

Neni 36

 

Neni 480 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 480

 

Mospranimi i rekursit

 

Mospranimi i rekursit vendoset në dhomë këshillimi, në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë, në rastet kur:

 

a)bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji;

 

b)nuk plotësohen kërkesat procedurale të parashikuara në këtë kre;

 

c)pala që ka paraqitur rekurs heq dorë prej tij.

 

Pala kundër së cilës është paraqitur rekursi, mund të paraqesë kundërshtimet e saj sipas rregullave të parashikuara në nenin 477 të këtij Kodi.

 

Shqyrtimi bëhet brenda 60 ditëve nga depozitimi i rekursit, pa praninë e palëve, por pasi janë shqyrtuar pretendimet me shkrim të tyre për çështjen e pranueshmërisë.

 

I njëjti trup gjykues vendos për çdo kërkesë procedurale të palëve, me përjashtim të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit.\".

 

Neni 37

 

Në nenin 482, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga tre ose pesë gjyqtarë, sipas rregullave të parashikuara në nenin 35.\".

 

Neni 38

 

Neni 511 ndryshohet si më poshtë:

 

\"Neni 511

 

Urdhri i ekzekutimit

 

Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, i cili:

 

a)për rastet e parashikuara nga shkronjat \"a\" dhe \"b\" të nenit 510 të këtij Kodi, lëshohet nga gjykata që ka dhënë vendimin. Në këtë rast, kancelari konfirmon urdhrin e ekzekutimit, brenda pesë ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit gjyqësor;

 

b)për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj, që u është dhënë fuqi në zbatimi të dispozitave të këtij Kodi, lëshohet nga gjykata e apelit brenda 5 ditëve n ga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit;

 

c)për rastet e parashikuara nga shkronja \"ç\" e nenit 510 të këtij Kodi, lëshohet nga gjykata e vendit ku është dhënë vendimi brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit;

 

ç) për rastet e parashikuara nga shkronjat \"d\", \"dh\" dhe \"e\", lëshohet nga gjykata e vendit ku detyrimet që përmban titulli ekzekutiv do të përmbushen, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit.

 

Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, si dhe për vendimet civile të gjykatës, të dhëna për ekzekutim të përkohshëm, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga zyra e përmbarimit, pas njoftimit të vendimit.\".

 

Neni 39

 

Pas nenit 511 shtohet neni 511/1 me këtë përmbajtje:

 

\"Neni 511/1

 

Për rastet e parashikuara nga shkronjat \"a\" dhe \"b\" të nenit 510 të këtij Kodi, urdhri i ekzekutimit lëshohet së bashku me vendimin gjyqësor dhe bëhet i ekzekutueshëm nga përmbaruesi gjyqësor vetëm pas konfirmimit nga kancelari.

 

Kancelari konfirmon urdhrin e ekzekutimit vetëm pasi verifikon se vendimi gjyqësor ka marrë formë të prerë.

 

Ky konfirmim bëhet nëpërmjet një shënimi të posaçëm në urdhrin e ekzekutimit, sipas rregullave të përcaktuara me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.\".

 

Neni 40

 

Në nenin 517, paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Me kërkesë të debitorit gjykata e shkallës së parë të vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethana të tjera të çështjes dhe pasi të dëgjojë kreditorin, mundet të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose të ndajë këtë detyrim në këste, përveç rasteve kur ky detyrim rrjedh nga një akt për dhënien e kredisë bankare. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.\".

 

Neni 41

 

Në nenin 564, fjalia e fundit e paragrafit të dytë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Kundër vendimit të përmbaruesit palët mund të bëjnë ankim, sipas rregullave të parashikuara në nenin 610 të këtij Kodi.\".

 

Neni 42

 

Në nenin 568, në fund të fjalisë së parë të paragrafit të parë shtohen fjalët \"si dhe për 5 ditë me radhë në dy gazeta kombëtare me tirazhin më të madh\".

 

Neni 43

 

Në nenin 577, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 30 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuara në nenin 568 të këtij Kodi dhe zhvillohet 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri.\".

 

Neni 44

 

Në nenin 609 bëhen këto ndryshime:

 

a)Paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

 

\"Në këto raste, gjykata mund të vendosë pezullimin e vendimit me ose pa garanci. Kur titulli ekzekutiv është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, gjykata mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit, vetëm me garanci dhe për një periudhë jo më shumë se 3 muaj, përveç rasteve kur gjykata, brenda këtij afati, vendos me vendim përfundimtar pranimin e padisë. Me kalimin e afatit 3-mujor, ose kur gjykata, brenda këtij afati, vendos refuzimin e padisë ose pushimin e gjykimit të saj, masa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit konsiderohet e rënë nga fuqia.\".

 

b)Pas paragrafit të tretë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

 

\"Gjykata shqyrton kërkesat, sipas këtij neni, brenda 5 ditëve. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.\".

 

Neni 45

 

Në fund të nenit 610 shtohen dy paragrafë me këtë përmbajte:

 

\"Ankimi kundër veprimeve ose refuzimit të përmbaruesit gjyqësor nuk pezullon ekzekutimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe. Kur titulli ekzekutiv është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare dhe gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit, masa e pezullimit konsiderohet e rënë nga fuqia me kalimin e 20 ditëve nga momenti i dhënies se vendimit të pezullimit.

 

Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.\".

 

Neni 46

 

Neni 611 shfuqizohet.

 

Neni 47

 

Në nenin 615, shkronja \"a\" e paragrafit të parë ndryshohet si më poshtë:

 

\"a) me vendim të gjykatës në rastet e parashikuara nga ligji;\".

 

Neni 48

 

Në nenin 616, shkronja \"c\" ndryshohet si më poshtë vijon:

 

\"c) kur gjykata deklaron, me një vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 609 të këtij Kodi, se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm, ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël, ose është shuar më pas.\".

 

Neni 49

 

Dispozitë kalimtare

 

Çështjet civile që janë në gjykim ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë të gjykohen sipas ligjit të kohës së paraqitjes së kërkesë-padisë.

 

Neni 30 i këtij ligji hyn në fuqi pas miratimit të ligjit për arbitrazhin .

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paraqesë në Kuvend, për shqyrtim dhe miratim, projektligjin që rregullon arbitrazhin vendas dhe ndërkombëtar.

 

Ngarkohet Ministri i Drejtësisë të nxjerrë aktet nënligjore brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Neni 50

 

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi më 1 shtator 2013 dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

Miratuar në datën 18.4.2013

 

Shpallur me dekretin nr. 8131, datë 30.4.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

 

 

Copyright 2013 - www.ligjet.org

Designed by Oxygen Studio